Fishta
E Gjergj Fishtes 
Home      At Gjergj Fishta
 
BIOGRAFIA
Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe
"Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të "Lahutës së Malësisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset" më 1913 "Mrizi i Zanave".
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
 
 
Gjergj Fishta
Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta (100) (1871-1940), i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si 'poet kombëtar i Shqipërisë' dhe 'Homeri shqiptar', Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë. Kush ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin 'poet kombëtar'edhe gjysmë shekulli më vonë?
Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij çuni të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë prift, si dhe shumë djem të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo, djaloshi Gjergj studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (Grga Martiƒ, 1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranj…eviƒ, 1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar e me të cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhrin françeskan. Me t'u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 ai bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), abati me influencë i Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit të shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908 (1), ende fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër.

Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku përmendet sidomos se zëvendësoi italishten me shqipen për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t'i dhënë fund mbisundimit kulturor italian në katolikët e Shqipërisë së veriut dhe u ushqeu të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla një ndjenjë identiteti kombëtar. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe,problem ky i studiuar hollësisht nga Fishta. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj, 1915-1920 si dhe të viteve të hershme të diktaturës së Ahmet Zogut, 1925-1929, kjo revistë me influencë e me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944 dhe ndihmoi për zhvillimin e kulturës gege të veriut ashtu si revista Albania e Faik Konicës në Bruksel kishte ndihmuar për kulturën toske të jugut. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro- hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi me të drejtë që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim e të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) nga viti 1921, i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht 1919 Gjergj Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t'u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t'ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, kishën dhe kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta ulej në hije dhe merrej me poezinë e vet. Si poet kombëtar i brezit të tij, Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro- hungarez më 1911, është dekoruar nga papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhëri françeskan, dhe është bërë antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me Lahuta e malcís, Shkodër 1937. Ajo është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar në fillim midis viteve 1902 e 1909, pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.

Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh e u miqësua me fshatarin e moshuar Marash Uci (vd. 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Në mbrëmjet që i kalonin së bashku Marash Uci i rrëfente priftit djalosh për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të Lahuta e malcís, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zadar më 1905 e 1907, e u ribotuan më pas të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë suksesin e Lahuta e malcís dhe personalitetit të shquar të autorit, kjo vepër dhe të tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore kur komunistët erdhën në pushtet. Megjithatë, kjo poemë epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe në Romë më 1991, gjendet edhe në përkthime në gjermanisht dhe italisht (2).

Në përmasat e veta historike, Lahuta e malcís nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25) u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe shpuri në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhonturqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie, si dhe luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913, që shpunë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarjet e kësaj poeme epike mund të përmblidhen si vijon:
Kënga I - Cubat
Më 1858, me gjithë pesë shekujt e gjatë nën zgjedhën turke, shqiptarëve nuk u ishte shuar dëshira dhe vullneti për të fituar lirinë. Cari i Rusisë, për të shtrirë ndikimin në Ballkan, i shkruan një letër mikut të vet, princit Nikolla të Malit të Zi. Në këtë letër ai i premton atij ndihmë dhe i kërkon që të përvetësojë një copë të Shqipërisë së veriut duke mos i lënë turqit të qetë. Letra, duke kaluar male e lugina në duart e të dërguarit personal të Carit, mbërrin në oborrin e Cetinës dhe mirëpritet nga sundimtari malazez, i cili e bind trimin Vulo Radoviq, serdar i Vasoviqit, të gatisë banditët e tij për të shkretuar Vraninën në liqenin e Shkodrës.
Kënga II - Oso Kuka
Vulo Radoviqi e merr Vraninën pa qëndresë. A do të zbresin malësorët nga malet për të dëbuar banditët malazezë? Avdi Pasha në Shkodër ankohet se në Shqipëri nuk kanë mbetur burra të vërtetë, se ajo është bërë vend vashash. Djaloshit Oso Kuka i hipën gjaku në kokë kur dëgjon një fyerje të tillë dhe i kundërvihet duke i thënë se shqiptarët e kanë mbrojtur vendin e tyre kurdoherë me trimëri pa u kursyer para asnjë sakrifice. Në krye të javës, vetë Oso Kuka organizon një grup prej dyzet luftëtarësh të zgjedhur, që përmenden të gjithë në poezi në mënyrë homerike, dhe niset për në Vraninë.
Kënga III - Preja
Në një kullotë pranë Vraninës, Vulo Radoviqi vret bariun shqiptar Avdi Hisa dhe ia merr tufën si pre. E motra e Avdiut, Turkina, e vajton të vëllanë sipas traditës malësore. Kur dëgjon vajin e saj, Oso Kuka thërret luftëtarët e tij për të marrë hak. Ata vihen në ndjekje dhe i arrijnë vjedhësit e tufës mu në breg të Moraçës, ku pas një beteje të ashpër ua rimarrin tufën. Sllavët humbin dy burra, kurse shqiptarët përgatiten për t'u tërhequr, të kënaqur se ia morën gjakun Avdiut dyfish. Rrugës në të kthyer Oso Kuka sheh se i mungon njëri prej luftëtarëve, Kerrni Gila nga Zagorja. Kthehet dhe e sheh Kerrni Gilën të mbërthyer në një dyluftim për jetë a vdekje me luftëtarin malazez Jovan, të cilin poeti e karakterizon me përmasa vërtet epike. Oso Kuka i ndan nga njëri tjetri dhe ia fal jetën Jovanit, duke i thënë të shkojë në shtëpi "e thuej nânës e nuses s' ré se per s' dytit sod ké lé.
"Kënga IV - Vranina
Figura e Oso Kukës përshkruhet me imtësi. Ai është hero me fuqi të mbinatyrshme, të cilit i trembet princ Nikolla. Princi mbledh komandantët e ushtrisë së tij dhe u paraqet planet që kishte bërë. Dyqind luftëtarë do të dërgohen në ishullin e Vraninës në liqenin e Shkodrës. Këshilltari i tij Mirko Kapidani e këshillon të mbjellë farën e përçarjes mes shqiptarëve si mjet për t'i mundur. Poeti u bën thirrje zanave të njoftojnë Oso Kukën për këtë mësymje që po përgatitet.
Kënga V - Deka
Oso Kuka ka parë një ëndërr. Duke ngrënë bashkë me burrat, ai pyet Soko Tonën, që ishte i zoti për të parathënë të ardhmen. Nga blana në shpatullën e një bishe të vrarë, Soko Tona sheh varre, tym dhe gjak. Kaçel Doda merr lahutën dhe këndon këngën e famshme të Gjergj Elez Alisë dhe Harapit të zi. Oso Kukës i hyn meraku dhe dërgon roje në va. Por, në mes të rojeve është edhe një tradhtar, Zeliq Gjuka, i cili u rrëfen udhën malazezëve nëpër një va natën. Në betejën më pas luftëtarët shqiptarë munden. Tridhjetë të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Ndër ata që shpëtojnë është Oso Kuka, i cili me burrat që i kishin mbetur gjeti strehë në një xhebehâne, depo baruti e fortifikuar. Malazezët mësyjnë, kurse Oso Kuka, për të mos iu dorëzuar armikut, hedh në erë kullën, duke u vrarë vetë, shokët e tij të plagosur dhe mësymësit. Ndërkohë që poeti i jep bekimin Oso Kukës, flamuri malazez ngrihet mbi Vraninë.
Kënga VI - Dervish Pasha
Njëzet vjet më pas një lajmëtar shqiptar ndalet te porta e Sulltanit në Stamboll dhe rrëfen për vuajtjet e gjata të Shqipërisë nën sundimin e Malit të Zi. Sulltani vendos të dërgojë një ushtri prej pesëdhjetë batalionesh nën komandën e Dervish Pashës për të sprapsur malazezët. Poeti u bën një thirrje kushtrimtare bashkëvendësve për t'u ngritur për liri, kurse turqit korrin fitore. Në tri mësymje, pushtohen Podgorica, Kernica, liqeni i Shkodrës dhe kryeqyteti Cetinë. Princ Nikolla tërhiqet maleve. Por Kongresi i Berlinit do të vendosë ndryshe. Poeti konkludon:
"Vall, a hîn Pasha n'Cetinë?..
Nuk e diej a hîn n'Cetinë;
Por n'Cetinë e diej se s'rrin;
Diç po vlon atje n'Berlin."
(3)
 
Kënga VII - Kuvendi i Berlinit:
Poeti pyet muzën e tij, zanën, se ç'është ai gjëmim që vjen nga larg. Ka shpërthyer lufta ruso-turke. Krerët e shteteve të Evropës, të personifikuar në shtatë krajlat e letërsisë gojore shqiptare, janë mbledhur në Berlin për të vendosur për fatin e popujve të Ballkanit. Të gjithë kanë mbrojtësit e tyre, përveç shqiptarëve. Princ Nikolla i Malit të Zi del para kongresit i reckosur dhe kërkon ndihmë. Atij i jepen tokat me popullsi shqip- folëse të Plavës, Gucisë, Shkodrës dhe Alpeve të Shqipërisë së veriut deri poshtë në lumin Drin. Poeti mallkon të gjithë ata që nënshkruajnë dhënien e këtyre territoreve dhe parathotë fatkeqësi për pushtuesit malazezë. Princi i ngazëlluar kthehet në Cetinë dhe urdhëron Pal Milanin të marshojë mbi Shqipëri me pesë batalione. Milani shpreh droje, por princi përgjigjet duke u tallur me të.

Kënga VIII - Ali Pasha i Gucís:
Ali pashë Gucia niset më të aguar, duke i lënë lamtumirën nënës dhe së shoqes. Rrugës nëpër male, ulet nën një lis për të pushuar dhe takon aty orën. Ajo i qorton shqiptarët për mungesë patriotizmi dhe i thotë Aliut të mos harrojë se ç'i ka dhënë vendi i tij: hije, ujë gurrash, livadhe pranverore. Ai betohet mbi gurin e varrit se nuk do ta kursejë as veten e as të birin për të mirën e Shqipërisë. Me një bisk rozmarine, ora i fal atij fuqi magjike për të shkulur pemë e për t'i mbjellë prapë.[/indent]
Kënga IX - Lidhja e Prizrendit:
Ndërkohë që dielli ngrihet mbi majën e Cukalit, zanat dhe orët janë mbledhur për t'u këshilluar për ngjarjet e Prizrenit, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Olimpit bisedonin për rrjedhat e Luftës Trojane. Vendin e nderit nuk e ka zënë Agamemnoni, por Ali pashë Gucia. Nga bjeshkët ato vrojtojnë ngjarjet dhe numërojnë pjesëmarrësit e Lidhjes të mbledhur në Prizren më 1878. Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë shqiptarë i drejtohen Lidhjes me fjalë të zjarrta dhe marrin vendim t'i shkruajnë letër Kongresit të Berlinit për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve sllave në dëm të tokave të tyre.

"Shkrepi dielli buzës s'Cukalit,
Eja e t'kndojm, oj Zâna e malit,
Eja e t'kndojm më Lahutë t'Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në Prizrend na janë bashkue,
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m'e pshtue
Prej çapojve t'Malit t'Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî n'Plavë, me hî n'Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér kû dán vendi me Drî;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhânka Knjaz Nikollës
Me ndezë zjarm aj m'votra t'ona,
Me ngá qét aj n'ara t'ona,
Me bâ drû n'zabele t'ona,
E me grá e me vasha t'ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né, T
hue se s'ká Shqyptarë mbí dhé."
(4)
 
Kënga X - Mehmet Ali Pasha
Telegramet sjellin lajmin se Sulltani ka caktuar një pasha tjetër. Në Gjakovë, krerët e malësisë shqiptare mblidhen në shtëpinë e Abdullah Drenit për të takuar të dërguarin e ri. Mehmet Ali pasha i përshëndet krerët me ngrohtësi dhe shtrëngohet të rrëfejë se Sulltani ka vendosur t'i lëshojë pe princ Nikollës. Shqiptarët revoltohen kurse Mehmet Ali pasha i zë e i burgos. Miqtë dhe të afërmit e pengjeve i kërkojnë Abdulla Drenit t'ua dorëzojë pashën. Sipas kanunit të rreptë të mikpritjes shqiptare, Abdulla Dreni natyrisht nuk mund t'u dorëzojë mikun, kështuqë shtëpinë e marrin me sulm. Pasha dhe një numër nga paria e shqiptarëve vriten. Poeti ankohet se, edhe kësaj radhe, shqiptarët luftojnë me njëri tjetrin për shkak të turqve. Krerët shqiptarë i dërgojnë Sulltanit një letër që t'u sjellë një pashë tjetër. Ata janë betuar të mos pranojnë kurrë të jetojnë nën sundimin e princ Nikollës të Malit të Zi.
 
Kënga XI - Lugati:
Princ Nikolla po kalon një mbrëmje të qetë në sarajet në Cetinë me të shoqen, Milenën, duke u mburrur për heroizmin e tij në të kaluarën e për bëmat e mëdha që e prisnin. Milena i thotë të mos e marrë me aq vrull. Ajo i jep verë, duhan dhe gështenja të pjekura para se të bien për të fjetur. Gjen çastin dhe i thotë se fëmijët kishin frikë të binin në shtrat ngaqë u kishte dalë lugati një natë më parë. Princ Nikolla e quan besimin në lugetër e fantazma gjepur kalamajsh. Pas gotës së fundit të verës dhe llullës së fundit me duhan, princi bie për të fjetur. Natën i del një lugat. Është hija e Mehmet Ali pashës së vrarë, që i rrëfen për vdekjen e tij në duart e shqiptarëve dhe që e këshillon të marrë në dorë malësinë e tyre. Hija zhduket, siç na thotë poeti: "tue lânë mbrapa nji qelbsinë qi dér vonë u ndie n' Cetinë." Princi hidhet nga shtrati, thërret gjeneralin e tij Mark Milanin dhe e urdhëron të prijë forcat malazeze drejt Shqipërisë.
 
Kënga XII - Marash Uci
Kjo këngë qe e para nga Lahuta e malcís që u botua, dhe përmban mjaft vargje të spikatur. Ajo sillet rreth figurës së Marash Ucit, dikur luftëtar trim i Sulltanit, kurse tani një bari i moshuar, i urtë e plot përvojë. Kënga fillon kështu:

"Te nji mriz, te nji lejthí
Kishin ndollun tre barí,
Dy me dhên e nji me dhí,
Njâni plak e dy të rí:
Marash Uci e t'bijt e Calit,
Dy djelm t'letë si shpezt e malit."
(5)
Lart në bjeshkë, Marash Uci këshillon barinjtë e rinj të ruajnë traditat burrërore të kulturës së tyre fisnore dhe gjithmonë të mbajnë besën. Pastaj ai kalon nga mali në mal e shkon te Çun Mula, bajraktari i Hotit, dhe i bën thirrje të mbledhë krerët në kishën e Shën Gjonit në Brigje.
 
Kënga XIII - Te kisha e Shnjonit:
Krerët e bajrakut të Hotit janë mbledhur në kishën e Shën Gjonit. Çun Mula e hap kuvendin dhe aty Marash Uci mban një fjalë të gjatë e prekëse për marrëdhëniet e vështira të Shqipërisë me turqit, për autonominë fisnore e për Kanunin e lashtë të Lekë Dukagjinit. Tani punët kanë ndryshuar, shton ai. Evropa, kurva e motit, i ka tradhtuar shqiptarët, që kur Kongresi i Berlinit i dha princit të Malit të Zi tokat e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë.

"Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá token e Shqypnís
Per me mbajtë klysht e Rusís?"
(6)
Krerët e fisit vendosin të shkojnë në luftë për të mbrojtur malësinë, me Çun Mulën komandant. Të gjithë burrat e bajrakut, të rinj e pleq, rrëmbejnë armët, duke lënë shtëpitë, arat dhe bagëtinë nën kujdesin e grave.
 
Kënga XIV - Te ura e Rrzhanicës
Riza Pasha, komandanti turk i kalasë në Shkodër, hedh vështrimin nga veriu dhe sheh se mjegulla ka mbuluar liqenin. Nuk është mjegull, i thotë myftiu, por tymi i barotit në përleshjet e përgjakshme midis forcave malazeze nën komandën e Mark Milanit dhe malësorëve të Grudës e të Hotit. Poeti thërret zanat për të marrë vesh numrin e trupave sllave, të cilat pastaj radhiten në një mënyrë homerike. Dymijë e shtatëqind trupa malazeze ngjishen në Urën e Rrzhanicës përballë njëzet malësorëve dhe njëzet pushkëve, e ndër ta janë Halil Haka e Palokë Gjoka. Beteja që pason përshkruhet në të gjitha imtësitë e veta heroike, derisa sllavët munden dhe Mark Milani detyrohet t'ia mbathë me të katra.
 
Kënga XV - Kasneci:
Një sorrë ogurzezë ulet e zë vend në pullaz të pallatit në Cetinë ndërkohë që arrin lajmëtari me lajmin se ushtria malazeze është mundur dhe malësorët kanë ndërmend të hyjnë në Mal të Zi.
 
Kënga XVI - Kulshedra:
Kënga XVI përbën një interlud pas lufte me një analogji mitologjike për betejën. Në kohë stuhie, nje kulshedër e tërbuar shtatë-krerëshe ka ikur nga një shpellë në Shalë për të marrë hak mbi një drangue, Vocërr Bala. Drangojt, që personifikojnë heronjtë e malësisë, mblidhen për t'i bërë ballë e për të mundur përbindëshin gjigant. Pasi korrin fitore, drangojt marrin pjesë në një drekë me grurë, bukë, mish dreri dhe mjaltë, të ftuar nga orët e Shalës që e kanë soditur betejën nga një shkëmb aty pranë. Pas buke orët ia nisin valles dhe këndojnë këngën e vashës Eufrozinë nga Janina, e cila zgjodhi vdekjen e nuk iu dorëzua tiranit Ali pashë Tepelena:
"Varza ká e varza s'ká,
Por, si ká nji vajzë n'Janinë,
Kurkund shoqen s'i a ké pá,
Kah bje diell e serotinë:
Sínin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija,
Eufrozinë e quejti nâna,
Augur t'mirë m'e pasë Shqypnija.
Atê e páka aj Alì Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m'e kerkue.
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të ká lypun.
T'u thafët goja! shka po thue?
I a kthen vasha fjalen marë;
Se un nji vajz-o kam qillue:
S'diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali Pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m'a pré,
Si i ká pré kushdi sá krena;
Gjallë por s'lshoj un erz as fé.
Asht mushë Pasha me mëní,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigio harap i zí,
Se dy herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n'fund t'liqênit
T'a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit?
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m'liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N'mes të liqênit si kan dalë,
Atí trapi vend ká zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk ká tjeter, tash, lum vasha:
E s'jam nieri fjalës qi i luej:
A me shkue sande te Pasha:
A shî ktû me t'mytë ty n'ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshë,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t'shkoj nji herë me u veshë,
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t'birit t'qênit,
Mêrr e hidhet n'ujë prej trapit,
Edhè zhduket n'fund t'liqênit.
Doli fjala neper dhé:
Njekso varzash ká n'Shqypní,
Qi per erz edhè per fé
T'rijt e jeten i bâjn flí." (7)
 
Kënga XVII - Në Qafë-Hardhi:
Pas betejës në këngën XVI, orët dhe drangojt kanë ikur në shtëpi të vet. Mbeten vetëm dy drangoj, Rrustem Uka dhe Xhem Sadrija, që do të përgatiten për dasmën. Ata fluturojnë e ngjiten në Qafë-Hardhi. Aty bëjnë një pushim, duke pirë duhan e duke pastruar armët. Mark Milani është kthyer me tetë batalione të reja, i vendosur të pushtojë Plavën e Gucinë. Dy drangojt shqiptarë shtrëngohen të mbrojnë qafën nga treqind trupa malazeze. Ata zihen ngushtë, por u vijnë në ndihmë barinj të ndodhur andej afër, dhe fitojnë betejën. Mark Milani vendos t'i tërheqë trupat për një betejë tjetër në Sutjeskë. Zanat, të cilat përsëri e kanë soditur betejën nga një majë aty afër, zënë vend tani në një majë shkëmbi që sheh nga Sutjeska dhe rrinë në pritje.
 
Kënga XVIII - Te Ura e Sutjeskës:
Trupat e Mark Milanit mblidhen te Ura e Sutjeskës për të marrë Gucinë, por Ali pashë Gucia u ka zënë pritë me dymijë ushtarë shqiptarë. E gjithë kënga i kushtohet betejës së egër, përshkrimit të luftëtarëve të veçantë dhe bëmave të tmerrshme në një përleshje për jetë a për vdekje. Vjen pastaj një interlud me vajin prekës të një zogu të zi për vdekjen e Smajl Arifit. Por është edhe nëna e Cen Brahimit për t'u vajtuar, sepse i biri e ka turpëruar veten duke mos i marrë hakun probatinit të tij Sadri Çuni të vrarë në betejë. Kokën e Sadriut e kanë vënë majë një huri dhe e kalojnë para shqiptarëve për t'u tallur:"Do me t'thashë, me giasë, or Pashë, Se t'bân êmer Mark Milani,Mark Milani Kapidani,Me i a ndreqë cilen n'Xhamí,
Dreken n'Plavë, darken n'Gusí."
(8)
 
Kënga XIX - Pater Gjoni:
Duke bërë një mallkim të zjarrtë patriotik, Pater Gjoni i Kelmendit dënon bëmat e poshtra të sllavëve, që për pesëqind vjet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë munduar shqiptarët dhe u kanë marrë tokat. Por malësorët janë kockë e fortë dhe kanë mbijetuar. Po të mos ishte prift, ai vetë do të kishte rrëmbyer armët e do të dilte në mbrojtje të maleve të atdheut. Sa të ketë ujë lumi i Drinit, sllavët nuk kanë për të shkelur në tokën shqiptare. Kur fillon të derdhet gjaku, Lulash Ndreu këndon një këngë patriotike, Patër Gjoni niset për në Sutjeskë me burrat e Kelmendit prapa.
 
Kënga XX - Lekët:
Skena edhe më të përgjakshme beteje në Urën e Sutjeskës. Luftëtarët shqiptarë të malësisë si dhe kundërshtarët e tyre sllavë po aq të vendosur përshkruhen një nga një, si luftëtarët e Agamemnonit dhe Priamit nën muret e Trojës së lashtë. I ngjashëm me episodin e Glaukut dhe Diomedit te Iliada është takimi i probatinëve të vjetër, sllavit Mil Spasi dhe shqiptarit Bec Patani. Në përleshje e sipër, të dy e njohin njëri tjetrin, këmbejnë fjalë përshëndetjeje dhe mbështetin kokat në supet e njëri tjetrit, siç e do zakoni. Në interlud rrëfehet si kishte lindur miqësia e tyre. Kur Rrustem Uka mbërrin me përforcime nga Gucia, Bec Patani e shpëton probatinin e tij. Mbi atë kasaphanë bie nata.
 
Kënga XXI - Ndërmjetsija:
Pas një përshkrimi të gjatë të skenave të betejës të mbushur plot me gjak, gjymtyrë dhe koka të prera, shfaqet Patër Gjoni i këngës XIX. Ai i kërkon pashait t'i japë leje të shkojë te Mark Milani për një armëpushim, për të varrosur të vrarët. Pashai pranon. I shoqëruar nga një gjakon, Patër Gjoni niset për në kampin e komandantit malazez. Atje e presin me nderime. Pason një dialog midis patriotit Patër Gjoni dhe Mark Milanit, që tregohet fisnik, dhe armëpushimi vendoset. Por disa luftëtarë nuk duan t'ia dinë dhe mezi ç'presin të luftojnë. Me njëzet shokë besnikë me vete, Bec Patani mësyn në një tufë dhensh në Mal të Zi. Hyjnë në një vathë natën dhe e rrëmbejnë tufën. Skena të kujton Iliadën, plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan. Rrugës në kthim ata marrin vesh se Mark Milani kishte ndërmend t'i mësynte përsëri sapo të mbaronte armëpushimi, kësaj radhe në Nokshiq. Nxitojnë që t'ia japin këtë lajm Ali pashës.
 
Kënga XXII - Tringa:
Veprimi ndodh në Nokshiq (pa dyshim Novshiqi i sotëm) në luginën e Limit të sipërm në juglindje të Malit të Zi. Për t'i shpëtuar kërdisë, të gjithë banorët janë larguar, madje edhe kafshët e egra. Mbetet në shtëpi vetëm vajza trime shqiptare Tringa, për t'u kujdesur për të vëllanë Curr Ula që po vdes. Përkushtimi dhe vetmohimi i motrës së ndershme e sypatrembur, figurë e marrë nga letërsia gojore shqiptare, jepet nga poeti me imtësi të holla. Curr Ula vdes dhe i bie Tringës ta varrosë në tokën e vet, megjithëse pas pak do të shpërthejnë luftimet. Një luftëtar sllav që kalon aty, Gjur Kokoti, e kallëzon dhe kërkon ta marrë "si ré nanës t'm'i ndihmojë n'shpi", por Tringa nuk do t'ia dijë. Ajo rrëmben pushkën dhe e qëllon në krahëror, duke marrë edhe vetë një plumb në kokë nga shoku i Gjur Kokotit, Vasil Ndreka. Kënga mbyllet:
"Edhè dielli dheut i rá,
Gjallë por Tringa Shkjaut n'dorë s'rá"
(9)
 
Kënga XXIII - Ke tbanat e Curr Ulës:
Luftëtari shqiptar Gjetë Gega nga Shllaku mbërrin në vend dhe merr hak për Tringën duke vrarë Vasil Ndrekën. Më tej Gjetë Gegën e sulmon sllavi Millosh Pera në një duel, që poeti e krahason me një përleshje për jetë a vdekje midis një luani e një tigri. Në përleshje e sipër Millosh Pera pengohet te kufoma e Vasil Ndrekës dhe vritet nga Gjetë Gega, i cili i pret kokën Vasilit dhe e flak në oborr pranë trupit pa jetë të Tringës. Më tej në këtë këngë përshkruhen duele të tjera, ku trimat shqiptarë e malazezë përqeshin e shpotitin njëri tjetrin në një mënyrë epike.
 
Kënga XXIV - Zana e Vizitorit:
Zana e Madhe kundron betejën e përgjakshme nga më e larta pikë e malit Vizitor mbi Plavë, ashtu si Zeusi sodiste Luftën e Trojës nga maja e lartë e malit Ida. E zemëruar në kulm kur sheh Tringën e virtytshme, e cila që fëmijë kishte qenë nën mbrojtjen e zanave të malit, ajo zbret për t'ia marrë trupin e për ta sjellë në rudinat e malit Vizitor. Trupin e saj e lajnë me ceremoni, e ndërrojnë dhe e varrosin rrëzë një bliri, ndërsa Zana e Madhe e vajton. Tringës i duhet marrë haku. Ky është vullneti i Zanës së Madhe që ngrihet mbi malësi dhe u lëshon burrave kushtrimin për të shpejtuar për në fushëbetejën e Nokshiqit. Retë e luftës mblidhen në horizont ndërsa fiset e Shalës, Shoshit, Shllakut, Temalit, Merturit, Gjâjit dhe Dushmanit përgatiten për betejë.
 
Kënga XXV - Gjaku i marrun:
Kjo këngë, më e gjata nga të gjitha, me 1184 vargje, i kushtohet përsëri ashpërsisë së betejës, të cilën poeti shpirtbutë françeskan e përshkruan me kënaqësi. Nga vendi ku është ulur në majën e lartë të Durmitorit, ora e Malit të Zi dëgjon kushtrimin therës të Zanës së Madhe të Vizitorit dhe niset për të lajmëruar Mark Milanin, duke vajtuar:"Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá Janë lá n'gjak, q'se fati i zí Flakë e agzot vûni per brî,Vû per brî Shqypní e Mal t'Zí!" (10)Ora i del Mark Milanit me fytyrën e poetit epik malazez Petar Njegosh për t'i njoftuar se shqiptarët po bëhen gati të zbresin në Nokshiq e ta tërheqin për të hyrë në betejë. Mark Milani trim i hyn orvatjes së fundit të pasuksesshme për të pushtuar malësinë shqiptare. Ai u bën thirrje luftëtarëve të vet të hidhen në sulm, duke u premtuar "cilen n'Plavë, dreken n'Gusí, zamren n'Hot e darkën n'Shkodër." Beteja ndizet e përgjakshme dhe përshkruhet edhe një herë me gjithë vrullin e heroizmit e batërdinë e saj. Zanat e maleve, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, ndërhyjnë për të mbrojtur luftëtarët e dashur e për t'i dërguar të tjerët në atë botë. Mark Milani e kupton se malazezët janë të rrethuar dhe kërkon nën një rrebesh shiu Mirko Kapidanin, për t'i thënë që të tërhiqet. Mirkoja është kapur rob nga shqiptarët në një urë mbi Lim. Këtu ora malazeze dhe zana shqiptare, të mbështetura nga dy shtriga mbi kurriz breshke, zënë e përleshen vetë. Ora mundet, e lodhur në pemën e blirit mbi varrin e Tringës, ku e rrahin gjarpërinjtë. Hakmarrja është kryer. Zana e Madhe këndon:
"A t'kam thânë, 'or' Knjaz Nikolla,
Se un, dér sande pa marrë dielli,
Tringen do t'a kish' pague:
Treqind krena un tue t'i pré,
Treqind rob un tue t'i zanun,
Trí mij çika e nuse t'reja
Para kohës tue t'i lânë veja."
(11)
 
Kënga XXVI - Koha e re:
Pas skenash të gjata me beteja, kënga XXVI bën kontrast me karakterin idilik të skenave të saj. Këtu hyn vetë poeti. Ai po e kalon pranverën në Lezhë për të përfunduar Lahuta e Malcís, dhe fton për vizitë zanën, muzën e tij. Bukuritë e Lissusit të lashtë në ato ditë pranvere e frymëzojnë poetin të rikujtojë historinë e krahinës: ndërtimin e kështjellës së Lezhës me muret e saj ciklopike, jetën e mbretërve legjendarë të Ilirisë, varrin e Skënderbeut, legjendat dhe mitologjinë. Tani, pas pesë shekujsh sundimi turk, po agon një kohë e re, ajo e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë.
 
Kënga XXVII - Xhemjeti (Komiteti)
Ka ardhur shekulli i njëzetë. Në brigjet e Bosforit, gjatë revoltes së xhonturqve më 1908, mblidhet një pseudokomitet pashallarësh turq për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Liberalizmit të Sinan Pashës i kundërvihen Xhavit dhe Turgut Pasha, për të cilët në Perandori ka vetëm një kombësi, ajo turke, dhe që kërkojnë të përdoret forca për të mposhtur kryengritësit shqiptarë.
 
Kënga XXVIII - Dedë Gjo' Luli:
Fryma e qëndresës ndaj malazezëve vazhdon të gjallojë në Shqipërinë moderne në figurën e Dedë Gjo' Lulit, kryeluftëtar i çështjes kundër turqve. Jemi në vitin 1911, një vit para luftërave ballkanike, kur turqit nisën orvatjen e tyre të fundit për t'i nënshtruar malësorët shqiptarë nën sundimin osman. Me Dedë Gjo' Lulin dhe çetën e tij prej njëzet petritash është edhe plaku Marash Uci nga Rapsha e Hotit, që e kemi parë në këngën XII. Turgut Pasha me shtatëdhjetë batalionet e tij kërkon që malësorët të dorëzohen brenda pesë ditësh, dhe pastaj përgatitet për sulm, por tani gjendja e mjerueshme e Shqipërisë i ka rënë në sy edhe Evropës.
 
Kënga XXIX - Lufta e Balkanit:
Perandori i Austrisë Franc Jozefi e këshillon Sulltanin të mos i ngacmojë shqiptarët, se përndryshe do të ketë me ta më shumë probleme nga sa kujton ai. Cari i Rusisë shtyn miqtë e vet sllavë t'i shpallin luftë Turqisë dhe kështu nis Lufta Ballkanike e vitit 1912. Nga humbja e Turqisë do të përfitojnë bullgarët, dhe përsëri sllavët sulmojnë Shqipërinë. Mbreti i Anglisë fton gjashtë mbretërit e tjerë, përfaqësues të Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës për të zgjidhur këtë problem, sepse "prej Balkanit hajr nuk ké!"
 
Kënga XXX - Konferenca e Londonit:
Pas tridhjetë vjetësh pune me Lahuta e malcís, poeti e mbyll këngën duke i bërë thirrje zanës, e cila prej kohësh e ka ndjekur pa u ndarë andej-këndej nëpër lëndinat e Parnasit. Ashtu si Horaci në exegi monumentum, poeti na thotë:"Ndertue kemi 'i pomendare, Rrfé as mot mos m'e dermue." (12)Përshkrimit nga poeti të ngjarjeve të Konferencës së Londrës, ku të 'shtatë krajlat' bisedojnë për fatin e Shqipërisë, nuk i mungon një notë humori e ironie. Pas shumë debatesh, pjesëmarrësit pranojnë të njohin shtetin e ri e të pavarur shqiptar. Flamuri kuq e zi, "porsì fleta e Engllit t'Zotit", valëvitet tani mbi tokën e Skënderbeut. Lahuta e malcís është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me ndikim persian e Dalip Frashërit Hadikaja, rreth v.1842 (Kopshti); nga poema epike shiite e Shahin bej Frashërit Myhtarnameja, 1868 (Historia e Myhtarit); nga poema disi e shkapërderdhur e Jeronim De Radës Scanderbeccu i pa-faan, 1872-1884; nga poema me frymë kombëtare po jo dhe aq e arrirë e Naim Frashërit Istori' e Skenderbeut, 1898; nga poema epike shiite po e tij Qerbelaja, 1898; nga poema e mërgimit e Zef Skiroit Te dheu i huaj, 1900; dhe deri tek ajo e Frano Krispi Glavjano Mbi malin e Truntafilevet. Epoka e poemave bektashiane e shiite sipas traditës turko-persiane natyrisht kishte marrë fund, kurse tema klasike e poemave epike shqiptare, bëmat e heroit kombëtar të shekullit të pesëmbëdhjetë, Skënderbeut, e cila ishte trajtuar me një nivel artistik të kufizuar nga dy shkrimtarët shqiptarë më me emër të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri, tani ishte tepër e largët dhe e mjegullt për t'u vënë në qendër të një poeme epike të shekullit të njëzetë. Gjergj Fishta zgjodhi për subjekt atë çka njihte më mirë: kulturën heroike të vendlindjes, malësisë shqiptare të veriut. Synimi i tij me këtë poemë, e cila është një arritje e pashoqe në letrat shqiptare, ishte të paraqiste jetën e fiseve të Shqipërisë së veriut, e të njerëzve të saj në përgjithësi, në përmasa heroike. Autori pati fatin e mirë që në ato vite të jetonte mu në burimin e së vetmes shoqëri heroike të pacenuar në Evropë. Kështu, struktura fisnore e banorëve të Alpeve të Shqipërisë së veriut ndryshonte rrënjësisht nga rajonet më të përparuar e më "të qytetëruar" të jugut toskë. Ajo çka i mahniste vizitorët dhe etnografët e huaj në Shqipërinë e veriut të këtyre viteve ishte shoqëria e fortë patriarkale e malësisë, një sistem i mbështetur në zakone të trashëguara në shekuj nga ligji fisnor, e në veçanti nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në Lahuta e malcís kemi të gjitha tiparet dalluese të kësaj shoqërie: zakonet e doket e lindjes, martesës dhe varrimit, mikpritjen bujare të fiseve, gjakmarrjen dhe besën.Lahuta e malcís është frymëzuar fuqishëm nga poezia gojore shqiptare (13), si nga ciklet e poezisë heroike të quajtura Këngë kreshnikësh me ndërtimin e vargut tetërrokësh, të ngjashme me juna…ke pjesme serbo-kroate, ashtu edhe nga ciklet po aq popullore të poezisë historike të shekullit të tetëmbëdhjetë, të ngjashme me poezinë kleftike greke apo me haidutska pesen të bullgarëve. Fishta e njihte këtë poezi gojore të kënduar nga fiset malësore gege me lahutën e tyre me një tel, dhe e pëlqente gjuhën e ritmin e saj. Prandaj rrëfimi në poemë është plot fjalor arkaik të pasur dhe figura ligjërimi të larmishme e të gjalla, që përdoren nga fiset luftëtare malësore të veriut, e që sot nuk janë aq të kuptueshme, madje edhe për vetë shqiptarët e veriut (14). Natyrisht, lidhjet e ngushta me letërsinë gojore janë një tipar më se i zakonshëm për poemat epike, ndonëse disa autorë e kanë kritikuar Fishtën për 'folklorizëm', për imitim të folklorit, pa mundur të krijojë një poemë të vërtetë epike. Metri kryesor i Lahuta e malcís është tetërrokshi trokaik apo shtatërrokshi, i cili harmonizohet më bukur me poezinë gojore shqiptare se sa heksametri klasik i poemave epike greke e latine. Megjithatë, ndikimi i poemave të mëdha të lashtësisë klasike, Iliada dhe Odiseja e Homerit apo Eneida e Virgjilit, është kudo i pranishëm në Lahuta e malcís, sikundër kanë pasur kënaqësinë ta theksojnë një numër studiuesish, e sidomos Maksimilian Lamberci dhe Xhuzepe Gradilone (15). Pra, mjaft paralele në stil e në përmbajtje kanë kapërcyer shekujt. Vetë Fishta më pas përktheu shqip librin e pestë të Iliadës (16).Ndër figurat stilistike kryesore që karakterizojnë Lahuta e malcís dhe pa dyshim pjesën më të madhe të epikave, janë metafora, aliteracioni dhe asonanca, si dhe hiperbola dhe arkaizmat. Tipari kryesor heroik i subjektit dhe rrëfimi i imtë i skenave të betejave për fat të mirë janë harmonizuar me përshkrimet lirike dhe idilike të bukurisë së natyrës së Alpeve të Shqipërisë së veriut, të cilat i japin Lahuta e malcís një dritë e hijeshi poetike. Mangësia në këtë aspekt do t'i sillte mungesa të dukshme veprës.
Lahuta e malcís mbështetet thellësisht në legjendat dhe mitologjinë shqiptare dhe është e mbushur plot figura mitologjike nga letërsia gojore, që ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së Lashtë, sodisin ngjarjet dhe, kur del e nevojshme ndërhyjnë në to. Ndër to janë: zanat, hijet trimëresha të malësisë, që rrijnë pranë burimeve e përrenjve dhe u japin mbrojë luftëtarëve shqiptarë; orat, hijet femër, që edhe vetë emrin e kanë tabu; lugatet; shtrigat; dhe drangojt, figura gjysmënjeri të lindur me krahë flatrash e me fuqi të mbinatyrshme, që si qëllim kryesor në jetë kanë luftën kundër kulshedrës zjarrvjellëse me shtatë krerë derisa ta vrasin atë. Shkrirja e elementeve heroike dhe mitologjike është më se e dukshme në një numër personazhesh, të cilëve Fishta u jep një vend të rëndësishëm në Lahuta e malcís. Kështu, Oso Kuka, luftëtari trim e i rreptë, që më mirë vdes se i dorëzohet i gjallë armikut sllav; bariu i moshuar Marash Uci, i cili i këshillon luftëtarët e rinj të mbrojnë lirinë dhe të mos harrojnë zakonet e të parëve; si dhe vasha trimëreshë Tringa, që i gjendet te koka të vëllait e që është e vendosur të mbrojë tokën e vet.
Aspekti heroik i jetës në malësi është një nga tiparet që fiset shqiptare të veriut e kanë të përbashkët me fqinjët e vet sllavë të jugut e sidomos me malazezët. Të dy popujt, edhe pse të ndarë nga gjuha dhe nga rrjedha e hidhur e historisë, kanë mjaft gjëra të përbashkëta mes tyre. Edhe pse malazezët si personazhe janë 'negativë' në qëllimin e Fishtës për t'i thurur lavdi atdheut të vet, ai nuk kishte mbetur i pandikuar e i paemocionuar nga arritjet letrare të sllavëve të jugut në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sidomos të poezisë epike për qëndresën sllave kundër turqve. Kemi përmendur rolin e atit françeskan Gërga Martiq, veprat e të cilit i shërbyen djaloshit Fishta si model gjatë studimeve në Bosnjë. Fishta u frymëzua gjithashtu nga shkrimet e një shkrimtari më të hershëm françeskan, Andrija Kaçiq-Mioshiq (Andrija Ka…iƒ-Miošiƒ, 1704-1760), poet dhe publicist dalmat i periudhës së Iluminizmit, i cili përmendet sidomos për veprën e tij Razgovor ugodni naroda slovinskoga, 1756 (Bisedë e këndshme e popullit sllav), përmbledhje me prozë e poezi për historinë serbo-kroate; po ashtu, edhe nga veprat e poetit kroat Ivan Mazhuraniq (Ivan Mazuraniƒ, 1814-1890), autor i poemës së njohur epike Smrt Smail-age ‚engiƒa, 1846 (Vdekja e Smail Aga Qengiqit). Burim tjetër frymëzimi letrar për Fishtën ka qenë poeti e princi malazez Petar Petroviq Njegosh (Petar Petroviƒ Njegoš, 1813-1851). Nuk është rastësi që titulli Lahuta e malcís është mjaft i ngjashëm me titullin Gorski vijenac, 1847 (Kurora e maleve), poemë epike e Njegoshit për qëndresën heroike të Malit të Zi ndaj pushtuesve turq, e cila tani përgjithësisht konsiderohet si eposi kombëtar i malazezëve dhe serbëve. Fishta arriti të vërtetonte se edhe gjuha shqipe ishte në gjendje të jepte një epos letrar të përkryer me po ato përmasa heroike.Edhe pse Gjergj Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satirik nuk janë më pak të mëdha se ato në gjini të tjera. Shumë studiues vlerësojnë më lart poezinë e tij lirike. Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vierrsha i pershpirteshem t'kthyem shcyp, Shkodër 1906, përmblidhte krijime me frymëzim të fortë katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh të mëdhenj italianë si arkadiani Pjetro Metastazio (Pietro Metastasio, 1698-1782) nga Roma; romancieri e poeti romantik Alesandro Manxoni (Alessandro Manzoni, 1785-1873) nga Milano, të cilin Fishta e adhuronte pa masë; patrioti Silvio Peliko (Silvio Pellico, 1769-1845) nga Torino; liriku dhe historiani i letërsisë Xhakomo Xanela (Giacomo Zanella, 1820-1888) nga Viçenca si edhe të tjerë.
Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin Pika voëset, Zadar 1909, kushtuar bashkëkohësit të tij Luigj Gurakuqi (1879-1925). Pas saj vjen më 1913, në agim të pavarësisë së Shqipërisë, botimi i parë i librit Mrizi i zânave, Shkodër 1913, që përfshin edhe disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma e përgjithshme që përshkon përmbledhjen Mrizi i zânave është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në një botim të fundit pas vdekjes më 1941. Vjersha si Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheut, Shqypnija e lirë dhe Hymni i flamurit kombtár shprehin gëzimin dhe krenarinë e Fishtës për historinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e re të saj. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi i saj Shqyptarja e gjytetnueme. Krahas poezisë me tema atdhetare të përqëndruara në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrîzit, Shkodër 1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si Të kryqzuemit, Të zânun e pafaj të Virgjërês Mri, Nuntsiata dhe Shë Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.
Gjergj Fishta ishte gjithashtu mjeshtër i përkryer i poezisë satirike, që e përdori zgjuarsinë dhe penën e mprehtë për të qortuar cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve të vet. Ai nuk kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, shpesh të pamëshirshme, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse të Faik bej Konicës. Fishta kishte botuar mjaft vjersha të tilla në revistën Albania me pseudonimin kuptimplotë 'Castigat ridendo' (qorton duke qeshur). Më 1907, ai botoi pa vënë emrin e tij përmbledhjen satirike me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga mjaft kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij. Në të parën e satirave të tij, Nakdomonicipedija (Mësim për Nakdo Monicin), ai i drejtohet mikut të tij, shkrimtarit dhe botuesit jezuit Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), të cilin me dashuri e thërret me pseudonimin e tij Nakdo Monici, për t'i shprehur simpatinë e vet, ngaqë vepra 416 faqesh e këtij të fundit, Historia é Shcypniis, e botuar në Bruksel më 1902, nuk ishte pritur me interesimin e duhur nga bashkatdhetarët. Shqiptarët qenë shumë indiferentë ndaj historisë së vet e madje ndaj gjendjes së tashme të vajtueshme në përgjithësi. Arsyeja e këtij indiferentizmi, na thotë Fishta, është konkurrenca midis Shën Nikollës dhe djallit. Shën Nikolla kishte kapërcyer dete me urdhër të Zotit për të shitur arsye dhe shije. Djalli, nga ana e tij, konkurronte me një vapor plot me çizme të vjetra që donte t'i shiste. Kur të dy tregtarët mbërritën në portin e Shëngjinit, shqiptarët biseduan me njëri-tjetrin dhe vendosën të blejnë çizmet veresie. Me masa të tilla të pashkolluara, Fishta i rekomandon Nikajt të ngushëllohet me sjelljen gjakftohtë dhe përbuzëse të Tartufit të Molierit. Anxat e Parnasit, e shkruar më pas Anzat e Parnasit, me shumë shprehje therëse, por të bukura, që nuk mund të priteshin në një masë të tillë nga një prift françeskan i butë, u ribotua më 1927, 1928, 1942 dhe 1990, dhe i solli Fishtës shumë miq e armiq. Gomari i Babatasit është një tjetër vëllim satirik-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i Parlamentit shqiptar. Në këtë vepër, që itoi popullaritet të madh në kohën e vet, ai godet patriotët e rremë dhe dembelët.Përveç melodramave të përmendura më sipër Shqyptari i gjytetnuem dhe Shqyptarja e gjytetnueme, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. I ligu per mend, Shkodër 1931, komedi në tri akte e Molierit, dhe Ifigenija n'Aulli, Shkodër 1931, e Euripidit. Ndër veprat e tjera dramatike që hartoi apo përshtati në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgënj janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare. Ndër to përmendet pjesa me tri akte për Krishtlindjen Barìt e Betlêmit; Sh' Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabé, Shkodër 1923; Sh' Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941, e fundit ndër veprat e tij, që u botua sa qe gjallë. Deri para daljes së Gjergj Fishtës në skenën letrare, letërsia kombëtare e Shqipërisë kishte marrë një farë toni tosk. Ai vërtetoi se Shqipëria e veriut mund të ishte partner i barabartë me jugun më të përparuar në krijimin e një kulture kombëtare. Por Lahuta e malcís nuk u prit me brohori nga të gjithë, në veçanti nga kritikët toskë. Disa autorë e kanë shikuar shkrirjen e letërsisë gojore e asaj të shkruar si të pafrytshme, kurse të tjerë e kanë parë këtë poemë epike mbi një temë vërtet bashkëkohëse thjesht si një anakronizëm në shekullin e njëzetë. Ismail Kadare (l. 1936) e ka nënçmuar Lahuta e malcís si një "poemë të gjatë monotone, një kronikë sterile, e cila duke qenë, veç të tjerash, moralizuese e didaktike, ngjante me epet e veriut aq sa ç'mund të ngjante ujët e distiluar me ujvarat e bjeshkëve (17)." Vetëm koha do ta tregojë nëse Fishta do ta rifitojë vendin e vet si 'poet kombëtar' pas një gjysëm shekulli lënie në harresë për arsye politike.
Shkolla katolike shkodrane e letrave, që në krye të vendit kishte Gjergj Fishtën, hyri në epokën e vet të artë në dekadat e para të shekullit të njëzetë dhe, për këtë lulëzim të kulturës gege, atij i takon një meritë të madhe. Poetë dhe studiues françeskanë si Pashko Bardhi (1870-1948), Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Pal Dodaj (1880-1948), Vinçenc Prennushi (1885-1949), Marin Sirdani (1885-1962), Anton Harapi (1888-1946), Justin Rrota (1889-1964), Bernardin Palaj (1894-1947), Donat Kurti (1903-1969), Benedikt Dema (1904-1960) dhe Gjon Shllaku (1907-1946), e madje në të vërtetë të gjithë ata intelektualë të tjerë shqiptarë, që kaluan vitet e tyre krijuese në Shkodër gjatë kësaj apo asaj periudhe të katër dekadave të para të shekullit, u ndikuan nga figura madhore e atë Gjergj Fishtës. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980) shkruante:
[indent]"I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t'u kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godina e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tija dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zanavet. Ay nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ay qe një nga ato natura, të cilat ngrihen e rriten dalngadal prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ay u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë (18)."[/inent]Në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore Gjergj Fishta vërtet u njoh nga të gjithë si 'poet kombëtar'. Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963) e ka cilësuar si "poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria (19)", kurse Gabriele D'Anuncio (1863-1938) e ka quajtur "poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë". Për të tjerë ai ishte "Homer shqiptar". Por pas luftës Fishta u godit e u përgojua ndoshta më shumë se çdo shkrimtar tjetër i paraluftës dhe u la menjëherë në harresë. Poeti kombëtar u kthye në mallkim. Historia e Letërsisë Shqiptare e vitit 1983, histori zyrtare e Tiranës, e cila pati bekimin e Partisë së Punës së Shqipërisë, i linte trajtimit të Fishtës një minimum hapësire absolutisht të kufizuar:"Përfaqësuesi më kryesor i këtij kleri, Gjergj Fishta (1871-1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të, interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe cinizmin, dhe e kishte vënë në themel të punës së tij si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike 'Lahuta e Malësisë', duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të Veriut, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Vepra të tjera, si poema satirike 'Gomari i Babatasit', ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristike të luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t'i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit, gjer në banalitet, argumentimet e tyre false, që orvaten të imponohen me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste (20)."Arsyeja e vërtetë për rënien e Fishtës pas 'çlirimit' më 1944 duhet kërkuar jo në gjoja pro-italianizmin e tij, por në zanafillën e vetë Partisë Komuniste Shqiptare. PKSH, më pas Partia e Punës e Shqipërisë, ka qenë themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore nën kujdesin e të dërguarve jugosllavë Dushan Mugosha (1914-1973) dhe Miladin Popoviq (1910-1945). Në korrik 1946, Shqipëria dhe Jugosllavia nënshkruan një Traktat të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke si dhe një numër marrëveshjesh të tjera, që i dhanë Jugosllavisë kontrollin real mbi të gjitha çështjet shqiptare, përfshirë edhe fushën e kulturës. Serbokroatishtja u fut si lëndë e detyrueshme në të gjitha shkollat e mesme shqiptare, kurse në pranverë 1948, po përgatiteshin plane për bashkimin e të dy vendeve. Nuk ka dyshim se ndjenjat antisllave të shprehura në Lahuta e malcís bënë që vepra dhe autori i saj të ndaloheshin nga autoritetet jugosllave, edhe pse Fishta qe shkolluar në Bosnjë dhe qe frymëzuar nga letërsia serbe dhe kroate. Elementi antisllav i veprës së Fishtës është gjithashtu i vetmi që theksohet në botimin e parë të pasluftës të Enciklopedisë së Madhe Sovjetike në Moskë. Në të është shkruar (Mars 1950):"Veprimtaria letrare e priftit katolik Gjergj Fishta pasqyron rolin që ka luajtur kleri katolik në përgatitjen e agresionit italian kundër Shqipërisë. Si ish agjent i imperializmit austro-hungarez, Fishta, në vitet e para të veprimtarisë së tij letrare, mori një qëndrim kundër popujve sllavë, të cilët ishin kundër planeve grabitqare të imperializmit austro-hungarez në Shqipëri. Në poemën e tij shoviniste antisllave 'Lahuta e malcís', ky spiun ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër sllavëve.(21)"Pasi marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën më 1948, kishte shumë gjasa që shprehjet e ndjenjave antimalazeze e antiserbe të mos konsideroheshin mëkat i madh sipas mendimit të Partisë, por për sa i përket Fishtës tashmë ishte marrë një qëndrim zyrtar dhe, ndoshta për shkak të respektit për aleatët e rinj sllavë në Moskë, ky qëndrim nuk mund të hiqej pa shkaktuar ndonjë skandal. Gjergj Fishta, ai që veçse pak vite më parë ishte vlerësuar si poet kombëtar i Shqipërisë, u zhduk nga skena letrare dhe nuk i dukej më asnjë gjurmë. Aq frikë e patën, saqë më vonë thonë se edhe eshtrat ia nxorrën fshehurazi nga dheu e ia hodhën në lumë. Por me gjithë katër dekadat e propagandës së vazhdueshme partiake, e cila e quante Fishtën 'poet klerik e fashist', populli i Shqipërisë së veriut, e sidomos banorët e Shkodrës ku kishte lindur, nuk e kishin harruar. Vepra e tij ka qarkulluar fshehurazi dorë më dorë, dhe është lexuar nëpër brezat e shqiptarëve. Pas afro gjysmë shekulli, Gjergj Fishta u përkujtua hapur për herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Gjatë të parit recital me vepra të Fishtës në Shqipëri pas dyzet e pesë vjetëve, aktori në një çast ngeci në recitim, por menjëherë e në mënyrë spontane u ndihmua nga salla, e cila e mbante mend ende përmendësh Lahuta e malcís.Gjergj Fishta dhe shkolla shkodrane përfaqësonin rrjedhën kryesore të letërsisë shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore - krijuese, novatore e njëherazi tradicionaliste. Fishta e kishte ngritur letërsinë e këtij vendi të vogël të Ballkanit në një nivel më të lartë artistik, në atë nivel që vendet më të përparuara të Evropës e kishin pasur në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në vitet e para të shekullit të njëzetë. Në vetvete ky ishte një hap përpara në pikëpamje të konsolidimit të vonuar të Shqipërisë si shtet dhe të zhvillimit të ngadaltë politik e kulturor. Por kjo periudhë e letërsisë shqiptare deri diku po i humbte lidhjet me realitetin e shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1930.
Rrugës drejt bashkëkohësisë, pra edhe drejt Evropës, do t'i hynin dy poetë të një brezi të ri, dy 'outsider', që u shkëputën nga letërsia tradicionale dhe i dhanë kulturës shqiptare vendin e vet në Evropën bashkëkohëse: mesianiku Migjeni dhe panteisti Lasgush Poradeci.
 
                                                                     
 
 
   
 
 
   Kliko ne Links.
 
 
Tirane/Shqiperi
 
Tirane/Shqiperi
 
Tirane/Shqiperi
 
Tirane/Shqiperi
 
Washington USA
 
Treviso/Itali
 
Lezhe/Shqiperi
 
Lajme Shqip/Tirane
 
Restorantin "Mrizi i Zanave"
 
Detroit/Michigan
 
Detroit/Michigan
 
abc News/Shqiperi
 
Salon/Sterling Heights MI
 
 
 
 
 
 
 

 

Copyright©Fishta.com.2012